"

December 5, 2013

Denisa Haxhiaj Zv.Drejtorja e Fiks Fare:




Kemi 150 orë regjistrime për skandalin në Pukë”



Intervistë - Entela Resuli

Filip Çakuli dhe Denisa Haxhiaj janë aty prej 11 vitesh, që kur ky program lindi. Janë si të thuash dy gjysmat e trurit të “Fiks Fare”. Emisioni i njohur televiziv është vendosur në qendër të vëmendjes ditët e fundit për skandalin e korruptimi në Gjykatën e Pukës. Në përpjekje për të kuptuar anën tjetër të kësaj historie, Dita zhvilloi një bisedë me Denisa Haxhiajn, zv.drejtoren e emisionit, krahun e djathtë të Filip Çakulit, vajza që di gjithçka që transmetohet dhe nuk transmetohet.

denisa haxhiaj, filip cakuli, fiks fare,


Denisa, Fiksi është vendosur sërish në qendër të vëmendjes për një skandal korruptiv në Gjykatën e Pukës. Si ka ardhur kjo histori tek ju?

Zoti Pal Ndoka erdhi në “Fiks Fare” ashtu siç vijnë të gjithë qytetarët që i drejtohen redaksisë sonë, në pritje populli. Ka ardhur vetë. Bashkë me drejtorin e redaksisë, zotin Filip Çakuli e kemi dëgjuar problemin e zotit Ndoka dhe vendosëm që kjo çështje të ndiqej nga gazetarët e “Fiks Fare”.

Sa ka zgjatur ky investigim?

Ky ka qenë një investigim që ka zgjatur rreth katër muaj, ditë natë. Në çdo moment zoti Ndoka ka pasur në dispozicion një ekip të “Fiks Fare” që filmonte bashkë me të takimet që ai kryente për problemin e ryshfeteve që i kërkonin avokatët, sekserët e punonjësit e gjykatës për lirimin e dy djemve dhe vëllait të tij.

Kushtojnë investigime të tilla? Kush paguan?

Në këto investigime të mëdha kemi gjithmonë mbështetjen e drejtuesve të Top Channel-it, edhe në aspektin financiar, pasi në disa raste në gazetarinë investigative kërkohet mbështetje e madhe financiare. Kjo nuk na ka munguar asnjëherë.

E besuat që në fillim që mund të ishte një çështje serioze, apo me kalimin e ditëve skandali thellohej?

Vetë historia që zoti Pal Ndoka kërkoi të sillte në “Fiks Fare” ishte e tillë që kërkonte angazhim të një pjese të stafit të “Fiks Fare”. Që në çastin kur zoti Ndoka është paraqitur në zyrat e “Fiks Fare” e kemi dëgjuar dhe ndjekur me shumë seriozitet problemin e tij, pasi në këtë histori përfshiheshin gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë, sekserë, punonjës gjykate.

Si veproni që invetigime të tilla që zgjasin kaq shumë në kohë nuk dekonspirohen?

Çështja që na solli zoti Pal Ndoka ishte mjaft delikate dhe kërkonte fshehtësi të plotë që të mos dështonte investigimi që kishim nisur. Bashkë me Filipin kemi kontrolluar në çdo hap punën që bënte qytetari me grupin tonë të xhirimit. Kanë qenë shumë pak persona që kanë qenë në dijeni të fakteve që xhironim.

Nuk besoj se është hera e parë që vijnë denoncime të tilla…

Në “Fiks Fare” çdo ditë vijnë ankesa të shumta nga qytetarë të ndryshëm. Në raste të tilla, kur vijnë denoncime të tilla unë dhe Filipi diskutojmë rëndësinë e këtyre rasteve dhe vendosim në dispozicion të këtyre qytetarëve që kërkojnë ndihmën tonë ekipe xhirimi. Ka edhe ankesa të rëndomta, por ne verifikojmë çdo ankesë.

Cilat janë çështjet më të ndjeshëm për të cilët ankohen njerëzit tek ju?

Qytetarët i drejtohen “Fiks Fare” për probleme nga më të ndryshmet, që nga problemet me faturat e energjisë elektrike, faturat e ujit, largimet e padrejta nga puna e shumë të tjera. Në këto moment në “Fiks Fare” ka një dyndje të ankesave që kanë lidhje me gjyqësorin shqiptar.

Për rastin e Pukës, keni regjistrime të tjera të patransmetuara?

Për këtë rast ne kemi investiguar për gati 4 muaj dhe ka shumë orë regjistrime bisedash. Mund të them rreth 150 orë material bruto. Zoti Ndoka në të gjitha takimet që ka kryer ka qenë i shoqëruar nga ekipi i “Fiks Fare” dhe gjatë gjithë kohës ka regjistruar biseda të shumta. Ne përzgjodhëm ato më pikantet për të transmetuar. Ne treguam vetëm majën e ajzbergut, Titaniku vazhdon akoma të lundrojë.

Përmendet më emri i kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori?

Jo, emri i tij përmendet vetëm në pjesën që është transmetuar.

Denisa, kur e konsideroni një investigim të plotë, ose të mbyllur, pra gati për transmetim?

Në rastin e Pukës për ne investigimi do të ishte i plotë deri në momentin e lirimit të të arrestuarve nga burgu. Arritëm të zbërthenim strukturën e korrupsionit gjatë lirimit të dy të arrestuarve dhe pazaret që janë bërë për të arrestuarin e tretë.


Ndodh ndonjëherë që sekserët të përmendin emra njerëzish me pushtet për ta bërë sa më të besueshme punën e tyre, si në rastin konkret… Mund të jetë edhe kjo në këtë rast me emrin e kreut të Gjykatës së Lartë?

Sekserët morën 6 mijë euro për rastin konkret dhe nuk ishin thashetheme pazari. Nëse është mashtrim, ky nuk është më thashetheme, por quhet vepër penale.


“Mungesën e Sajmirit e kemi ndjerë. Kopja mbetet kopje gjithsesi”

Muajt e fundit, për këtë emision është folur shumë jo vetëm për ngjarjet që denoncon, por edhe për largimin e njëri prej prezantueseve. Derisa, pranon që i është ndjerë mungesa Saimir Kodrës, por kjo tashmë ka kaluar.

Denisa, e keni ndjere mungesën e Saimirit?

Nuk do isha e sinqertë, po të thoja që nuk e kemi ndjerë. Në ditët e para kur ndodhi ndërrimi i njërit prej prezantuesve të “Fiks Fare”, u ndje mungesa e Saimir Kodrës, pasi ai është një figurë shumë e dashur për publikun. Shpesh Fiksi identifikohej me imazhin e Saimirit dhe Doktorit. Ndarjet sjellin gjithnjë trishtim. Gjithsesi, në këto momente edhe ju e shihni vetë që vëmendja e teleshikuesve te “Fiks Fare” është te përmbajtja e tij. “Fiks Fare” është “Fiks Fare”, një institucion tashmë, vë në lëvizje parlamentin shqiptar, qeverinë, opozitën, gjykatat, prokurorinë, KLD-në.

Si zv/drejtore e “Fiks Fare” ka ndonjë kronikë që jeni bërë pishman dhe që s’do ta transmetonit më kurrë, që keni goditur pa të drejtë ndonjë individ?

“Fiks Fare” është tashmë një institucion që mbron interesat e publikut dhe vendimet për temat që ne trajtojmë nuk merren për të goditur individë, por fenomenet që shqetësojnë çdo ditë shoqërinë tonë. Kur një temë që ne trajtojmë është në shërbim të shoqërisë, nuk ka vend për pendesa!

Pas emisionit “Fiks Fare” është hapur dhe emisioni “Alarm” dhe “Ça Thu…” mendoni se ka nevojë vendi për kaq emisioneve denoncuese?

Ky është treg, garë. Janë qytetarët ata që i japin përgjigje kësaj pyetjeje, të cilët trokasin atje ku gjejnë një zgjidhje të halleve dhe problemeve të tyre. Ne nuk e shpërfillim konkurrencën!

Cilat janë risitë e Fiksit që nuk mund të kopjohen nga emisione simotra?

Meqë po flisni për kopje, duhet t’ju kujtoj që kopja duhet të noterizohet tek noteri që të quhet kopje. Pikturës së Mona Lizës së Da Vinçit i janë bërë mijëra kopje, ndërsa origjinali ruhet në një sallë në muzeun e Luvrit nën masa të mëdha sigurie, futur në një kornizë xhami antiplumb. Pra origjinali ruhet. Ajo që nuk mund të kopjohet është historia e gjate dhe e suksesshme e emisionit “Fiks Fare” dhe besimi që qytetaret kane tek ky emision .

Keni shumë vite që punoni për këtë emision … është një nga punët që doni? Sa e lodhshme është për ju?

Është një punë që më jep shumë kënaqësi. “Fiks Fare” për mua ka qenë një shkollë e gjatë gazetarie, sepse kam fatin të punoj për 11 vjet me Filip Çakulin, i cili është drejtuesi, autori dhe truri i këtij emisioni. Në “Fiks Fare” të gjithë ne që punojmë këtu kemi mësuar se ç’është në të vërtetë gazetaria investigative dhe si bëhet gazetari investigative në terren. Dinamika e ngjarjeve të një dite në redaksinë tonë, nuk të lë kohë të mendosh për lodhjen.

Cila është historia më rrënqethëse që keni hasur në këto vite punë?

Janë të shumta historitë njerëzore që vijnë në “Fiks Fare” dhe para se të jam gazetare, unë jam një grua, një nënë dhe s’mund të jem indiferente ndaj problemeve dhe halleve të shoqërisë sonë. Janë të shumta rastet e personave që ndihen krejt të pashpresë dhe drejtohen tek ne për ndihmë. Panorama migjeniane e shumë familjeve shqiptare, sinqerisht më trishton shumë!

Po suksesi më i madh i “Fiks Fare”?

Besimi i publikut është suksesi ynë më i madh.


 *   *   *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!